
Një ditë para përballjes së pretendentëve për titull, Egnatia-Vllaznia, tekniku kuqeblu Brdaric sqaroi mediat e pranishme mbi gjendjen fizike dhe psikologjike të ekipit.
Thomas Brdaric, Trajner i Vllaznisë: “Me Egnatian do të jetë një sfidë e fortë sepse luajmë përballë ekipit kampion në fuqi. Po ashtu, Egnatia dhe trajneri i saj kanë treguar se mbeten ndër rivalët kryesorë edhe në këtë edicion. Mezi po presim të përballemi me ta dhe jemi të fokusuar plotësisht në këtë përballje. Ka shumë ndeshje në dispozicion por duhet t’i shfrytëzojmë për të arritur formën më të mirë sportive për betejat e “Final 4”. Objekti ynë në këtë ndeshje do të jetë fitorja por për arritjen e saj duhet të luftojmë dhe lojtarët tanë të vrapojnë shumë në fushën e blertë. Duhet të jemi të vëmendshëm për 90 minuta.”
Veç kryendeshjes Egnatia-Vllaznia, e cila luhet mbrëmjen e 27 marsit, në orën 20:00, për llogari të javës së 31-të të Kategorisë Superiore do të luhen edhe sfidat Laçi-Elbasani, Tirana-Bylis, Teuta-Skënderbeu dhe Dinamo-Partizani.