VIDEO – “Mësuesit nuk paraqiten…”, shkolla e Thethit vijon e mbyllur, deputetja Bardeli dhe banorët apel për zgjidhje

Nesër nis java e dytë e vitit të ri shkollor. Shkolla në fshatin Theth të Njësisë Administrative Shalë të Bashkisë Shkodër, me shumë mundësi do të vijojë të jetë e mbyllur. Problemi është ngritur nga deputetja e zonës Greta Bardeli Gjoni, e cila është vënë në dijeni zyrtarisht nga administratori i NJA Shalë Petrit Arra.

Ditën e sotme, deputetja Bardeli, administratori Arra dhe prindër të nxënësve, janë tubuar para shkollës. Në një video amatore, ata kanë treguar se problemi është se mësuesit nuk paraqiten në shkollë. Nga ana e tij, administratori Arra ka thënë se Bashkia Shkodër ka bërë të gjitha përpjekjet por çeshtja duhet të zgjidhet nga ZVAP Shkodër dhe DRAP Lezhë. Deri në këto momente, nuk ka asnjë pronocim nga këto institucione.


Ndërkohë, në publikimin e saj në facebook, të cilin e shoqëron edhe me video, deputetja Bardeli nënvizon: “Direkt nga Thethi Ju bashkova sot shqetësimit të thellë të prindërve atje, për mosfunksionimin e shkollës dhe kërkesës për fillimin sa më parë të mësimit për fëmijët e tyre”. Ajo ka sugjeruar që të aktivizohen mësuesit rezervë nëse ata që janë të emëruar në këtë shkollë refuzojnë të paraqiten në punë. /ShkodraWeb/