
Profesor Artan Boriçi është përcjellë në banesën e fundit ditën e sotme. Një dhimbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë kolegët, miqtë, të njohurit e të ndjerit por edhe për Profesor Hamit Boriçin, Profesoreshë Myzejen Boriçin- prindërit e tij, djalin dhe bashkëshorten e Artanit.
Në përmbushje të amanetit të tij, akademik Artan Boriçi u nda për herë të fundit me të gjithë në Shkodër, për tu prehur përjetësisht në gjirin e saj. Kanë qenë të shumtë shkodranët por edhe nga qytete të tjera, të cilët kanë marrë pjesë në funeralin e Artanit. Dhimbja është e madhe jo vetëm për familjen por edhe për Shkodrën, Shqipërinë dhe shkencën shqiptare.
Profesor Artan Boriçi ishte autoritet i padiskutueshëm në fushën e fizikës bërthamore në nivelin europian dhe atë mbarëbotëror. Ai ishte pjesë e trupës përzgjedhëse të çmimeve “Nobël”, njëkohësisht pedagog dhe shkencëtar i mirëfilltë, i vetmi shqiptar që u bë pjesë e eksperimenteve në CERN të Zvicrës.
Ditën e djeshme në Tiranë, Akademia e Shkencave zhvilloi homazhe për antarin e saj, ndërsa sot Artan Boriçi erdhi të qëndroje në qytetin me të cilin u krenua gjatë gjithë jetës. ShkodraWeb Media i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Profesor Hamit Boriçit, Profesoreshë Myzejenit, djalit Dalin dhe bashkëshortes Mirela, familjes së nderuar Boriçi, të afërmëve, kolegëve dhe miqve të Artanit të ndjerë.