VIDEO – “Merrni kazmën e lopatën”, habit kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako kthehet në detyrë pas pushimeve…

Pas përshkallëzimit të zjarreve në të gjithë vendin dhe pas akuzave të kreut të KLSH-së se ishte duke shijuar pushimet, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako e ka marrë seriozisht punën e tij. Ditën e sotme ai ishte në Dukat të Vlorës ku ka ndjekur nga afër punën e forcave në terren për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Ai foli në një deklaratë për mediat ku ka njoftuar mbi situatën në vend dhe më pas shfaqet duke i dhënë direktiva punonjësve të tij. Në një video ai shfaqet duke i kërkuar punonjësve që të shuajnë zjarret me kazma e lopata.


“Njëri pas tjetrit me kazëm e lopatë, me sëpatë dhe motosharrë, nga atje deri atje duhet krijuar kordoni” – tha Çako.

Pavarësisht se flakët kanë pushtuar vendin tonë prej ditësh, Çako tha se vetëm ditën e djeshme është bërë vlerësimi i situatës me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi.

“Është bërë vlerësimi gjatë ditës së djeshme, ndaj është kërkuar me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, mbledhja e komitetit për të maksimalizuar kapacitetet dhe për të shtuar koordinimin dhe bashkëpunimin mes strukturave vendore” tha Çako.

Ndërkohë që po punohet për fikjen e zjarrit ne zonën e Dukatit, trupa të tjerë janë transportuar me helikopter ne Qafën e Sherikut, në Karaburun në lartësine 1200 m mbi nivelin e detit për të neutralizuar edhe vatrat atje që janë kërcënim për parkun e Llogarasë.