Sfida për të mbajtur në jetë dy vajzat e tyre të sëmura që në lindje i ka vënë përpara vështirësive të njëpasnjëshme bashkëshortët Vocrri në fshatin Kryezi të bashkisë Fushë-Arrëz.
Pas një kurimi që zgjati afro 9 muaj në Itali familja është kthyer serish në fshat atje ku sfida për mbijetesën e vogëlushëve të tyre bëhet ende më e vështirë. Sikur të mos mjaftonte ndërprerja e ndihmës ekonomike dhe përkujdesjes gjatë kohës së qëndrimit në Itali, tashmë Ylber Vocrri dhe bashkëshortja e tij thonë se është kthyer në një domosdoshmëri një aparat oksigjeni për të mbajtur në jetë fëmijët e tyre.
“Është e vështirë shumë t’i mbajmë në jetë, por me ndihmën e Zotit po ja dalim. Edhe pse në këtë gjendje dëshira jonë e madhe është që t’i kemi sa më shumë që të jetë e mundur në mesin tone”, thotë babai Ylber Vocrri.
Ai shton më tej se: “Vajzat pësojnë shpesh rënie të oksigjenit, dhe kjo ju shkakton krizë shëndetësore duke jua vështirësuar jetën deri në limite”. Momentalisht spitali i Pukës ka ndihmuar me bombola oksigjeni familjen, por kjo duket se nuk është zgjidhja e duhur për shkak se bombolat mund të përfundojnë në një kohë kur oksigjeni është i domosdoshëm për të mbajtur në jetë dy fëmijët të cilët jetojnë vetëm fal përkujdesjes maksimale të prindërve të tyre. /BalkanWeb/