Në orët e para të ditës së sotme, një luhatje e energjisë elektrike, ka shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin e energjisë elektrike në Stacionin e Pompimit të Ujesjellës- Kanalizime Shkodër në Dobraç.
Janë dëmtuar rëndë tre panele të rrjetit të shpërndarjes së energjisë, duke ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm të rreth 120 mijë banorëve të Shkodrës.
Menjëherë, që në orën 03.00 të mëngjesit të sotëm, grupet teknike të UKSH- së kanë nisur punën për riparimin e defektit, duke zëvendësuar tre panelet dhe pjesën e dëmtuar të rrjetit elektrik. Drejtori i UKSH- së Mark Molla, në një intervistë për mediat thotë se çdo javë problemet me furnizimin me energji apo edhe mungesa e energjisë ekektrike, bëhen shkak për ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.
Defekti më i fundit, ka edhe një kosto financiare prej 200 mijë lekësh që duhet përballuar nga UKSH. Me punën e nisur që në orët e para të mëngjesit, synohet të arrihet riparimi i defektit në orët e drekës, duke rikthyer furnizimin me ujë të pijshëm.
Furnizimi me energji elektrike është primar, duhet siguruar i rregullt dhe i qendrueshëm për funksionimin e pompave dhe sistemin e shpërndarjes së ujit në qytet, sidomos këto ditë me temperatura mjaft të larta.