
Mirel Josa ka debutuar me fitoren 3-1 në krye të stolit të Vllaznisë, në ndeshjen ndaj Egnatias. Ndërsa ka folur për emisionin “Gol pas Goli” Josa theksoi se Europën e synojnë si nga kampionati ashtu edhe nga kupa.
Më tej ai u shpreh se sheh që të gjitha skuadrat do luajnë në maksimumin e tyre, edhe Tirana ndaj Kukësit, ndaj shtoi se shpreson që t’ja dalin të jenë në Europë nga kampionati.
Fitorja: “Mundësitë janë që të arrijmë Europën dhe do të mundohemi t’ja bëjmë hyzmetin 100% në kampionat. E rëndësishme është që u fitua ndeshja dhe që skuadra mu përgjigj siç dëshiroja, u përsëritën gabime që janë bërë në ndeshje të tjera.”
A besoni se Tirana do jetë me Kukësin siç ishte me Vllaznisë? “E besoj, nuk kam vënë ndonjëherë në diskutim ndershmërinë e Tiranës apo të skuadrave të tjera. Edhe kur kam qenë unë futbollist kemi pasur raste të tolerimit jo të qëllimshme, por them se do ia lëmë kohës për çfarë do arrijë unë me skuadrën time.”
Ndërkohë, në intervistën e dhënë për mediat e Shkodrës, Josa është shprehur përgjithësisht i kënaqur nga ekipi, por ka nënvizuar se vijon të shohë përsëritje të gabimeve të bëra në të shkuarën.
Josa ka thënë se pret të marrë 3 pikë në ndeshjen e fundit me Kastriotin, pa e patur shumë vëmendjen tek ndeshjet e tjera, nga rezultatet e të cilave varet edhe arritja e Europës përmes Superligës.
Gjithsesië, Vllaznia ka edhe një mundësi të artë të fundit me 31 maj 2022, në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku do të ketë përballë Laçin, i cili ka blinduar tashmë vendin e dytë duke siguruar prej javësh Europën.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!