
Mungesa e marrjes së një vendimi nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak për vendosjen e shtatores të Lekë Dukagjinit në Shkodër ka nxitur sërish reagimin e grupit iniciator të këtij projekti.
Anëtari i grupit, avokat Fran Dashi, akuzon Bashkinë e Shkodrës për zvarritje burokratike, duke theksuar se shtatorja tashmë është realizuar dhe mbetet vetëm caktimi i vendndodhjes. Ai kerkoi që ky vendim të merret sa më parë, përpara zgjedhjeve. Në të kundërtën Dashi tha se do të organizohen edhe manifestime paqësore deri në përmbushje të kësaj kërkese.
Edhe në reagimet e mëparshme për këtë ceshtje përfaqësues të shoqatës “Dukagjini” dhe anëtarë të grupit iniciator kanë theksuar se mbeten të angazhuar për finalizimin e këtij projekti, i cili synon të nderojë Lekë Dukagjinin si një figurë të shquar kombëtare.