
Në qytetin e Shkodrës, vijon aksioni për çlirimin e hapësirave publike. Në bulevardin “Zogu i Parë” është ndërhyrë për heqjen e një objekti pa leje që kishte bllokuar qarkullimin pranë pallateve, duke penguar lëvizjen e banorëve dhe aksesin e mjeteve të emergjencës, si zjarrfikësja dhe ambulanca.
Ndërhyrja është ndjekur nga vetë kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili u shpreh se ky veprim vjen në kuadër të një sërë ndërhyrjesh të realizuara pranë shkollës “Ndre Mjeda”, me qëllim lirimin e aksesit dhe përmirësimin e qarkullimit për banorët e zonës.
Autoritetet bëjnë me dije se puna do të vijojë në çdo lagje të Shkodrës, për të korrigjuar deformimet urbane të krijuara ndër vite dhe për t’i kthyer hapësirat publike në shërbim të qytetarëve.




