Spanja dhe Polonia rrezikojnë eliminimin që në grupe pas barazimit 1-1 që morën mes tyre në sfidën që u luajt në Sevilla. Spanja nuk arrin të fitojë, edhe pse dy ndeshjet i ka luajtur në shtëpi.
Morata zhbllokoi ndeshjen në minutën e 25-të. Gerard Moreno ka goditur drejt portës dhe sulmuesi i Juventus e ka dërguar topin në rrjetë dy hapa larg portës. Goli është anuluar fillimisht nga anësori.
Më pas është konfirmuar nga VAR, me të drejtë. Gjithsesi, anësori duhej të kishte pritur dhe jo direkt flamurin ngritur. Në fundin e pjesës së parë, Lewandowski ka humbur mundësinë më të pastër, pas shtyllës që goditi shoku i ekipit.
Në fillim të pjesës së dytë barazohet ndeshja. Lewandowski ka shënuar me kokë për polakët. Ylli i Bayern ka fituar duelin ajror me Laporte dhe ka shënuar me kokë. Mbrojtësi i Spanjës ka protestuar për një faull, por VAR e ka konfirmuar golin.
Tri minuta më vonë, Spanja ka fituar një penallti. Te pika e bardhë është paraqitur Moreno, goditja e të cilit ka përfunduar në shtyllë. Topi ka shkuar te këmbët e Morata-s, i cili e ka dërguar jashtë me portën bosh.
Spanja kishte edhe 3-4 raste të pastra për shënim më pas, por Morata nuk është në ditën më të mirë, pa harruar edhe meritën e portierit polak. Mbyllet në barazim 1-1, të dyja skuadrat rrezikojnë eliminimin.