
Kryeministri Edi Rama është në një vizitë në Itali, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda dhe djali i vogël Zaho. Ai ka bërë një ndalesë në kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, e cila njihet edhe si “kisha e shkodranëve” në Gjenacano, afër Romës.
Në këtë bazilikë, e cila ka një lidhje të veçantë e të fortë me Shkodrën, ku sipas legjendës muralja e Zojës u shkëput në vitin 1467, kur qyteti ra në duart e osmanëve për tu vendosur mrekullisht në këtë kishë ku është edhe sot, kryeministri Rama lexoi edhe një lutje.
Çdo vit, shkodranët nga e gjithë Italia, në muajin maj, muaji e Zojës, bashkohen në një festë dhe devocion ndaj kësaj kishe dhe Mbretëreshës së Shqipërisë, siç quhet edhe sot.
Lutja e Kryeministrit Edi Rama në bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, Regina di Albania
O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë
e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut!
Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar.
Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë
besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit.
O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!




