Skip to content
17 March, 2026
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

E Verteta nuk negociohet! – The truth is not negotiable!

Since 2017, the most followed news portal and entertainment in the North of Albania

njoftime banner 2025
Primary Menu
  • KUSH JEMI NE
  • AKTUALITET
  • KRONIKË
  • POLITIKA
  • SPORT
  • MAG&VIP
  • DOSSIER
  • ANËMBANË
  • VIDEO NEWS
  • RRETHE
    • Malësia e Madhe
    • Lezha
    • Vau- Dejës
    • Puka
    • Vendi
  • NA SHKRUANI
ShkodraWeb TV

VIDEO – Kryeministri Rama njofton rritje rroge për 720 efektivë policie, pagat variojnë nga 1200- 2300 euro

ShkodraWeb 22 February, 2026
rama rritje rrogash police 2026

Në nisje të episodit të radhës të Podkastit “Flasim”, Kryeministri Rama bëri një përmbledhje të ngjarjeve më të spikatura të javës

-Vizita në Washington

Vizita në Washington për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes ishte padyshim momenti më i veçantë i kësaj jave. Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes. Më vjen mirë natyrisht për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku konfirmova edhe pjesëmarrjen e vendit tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, po mbi të gjitha përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë, ndaj Hashim Thaçit e çlirimtarëve të Kosovës. Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë, deri më sot, pa asnjë standard demokratik, ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të luftës çlirimtare, do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre, dinjitetit të një gjykate dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare.

-Rijetëzimi i Bulevardit historik “Epidamn” në Durrës

Projekti i rijetëzimit të zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime që nuk kanë të sosur, ndërkohë që realizimi i tij është me natyrë strategjike për të ardhmen e qytetit të vjetër mesdhetar dhe të Shqipërisë Europiane si një destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe. Zona Arkeologjike A ku do të marrë jetë projekti, nuk është një hapësirë e zakonshme urbane dhe çdo debat pronash mbi atë zonë nuk duhet të dalë nga korniza e faktit themelor: Ajo zonë është pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin, Termat Romake janë monumente të qytetërimit europian, jo thjesht monumente të regjistrit tonë kombëtar të trashëgimisë. Objektivi për hyrjen e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar. E bën një detyrim ndërkombëtar. Ky projekt nuk ka lindur sot as ka marrë formë në errësirë, po është mbështetur mbi një program të kahershëm të kësaj qeverie për atë zonë, si edhe një Plan të Menaxhimit të Integruar, hartuar nga Ministria e Kulturës dhe hedhur në konsultim publik në vitin 2022. Ligji për Trashëgiminë Kulturore e detyron shtetin të ndërhyjë kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore. Pikërisht këtë ne po bëjmë. Historia ndërkombëtare tregon se asnjë vend nuk ka zbuluar, nuk ka konservuar dhe nxjerrë në pah trashëgimi të këtyre përmasave pa ndërmarrë shpronësime. Në Romë, mijëra e mijëra prona u shpronësuan për hapjen e Forumeve Imperiale. Në Athinë, u realizuan shpronësime masive për zonën përreth Akropolit dhe krijimin e parkut arkeologjik. Ne do të bëjmë pikërisht këtë, me ndjeshmëri e me drejtësi ndaj banorëve, po me vendosmëri ndaj interesit kombëtar.

-Draft-Rezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për Shqipërinë

Draft-rezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për vendin tonë është një vlerësim i qartë për progresin e Shqipërisë. Ai dokument vlerëson hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve, gjë që përbën një rekord në historinë e integrimeve europiane dhe në ndërkohë theksohet ritmi i shpejtë dhe domethënës në procesin e negociatave me nënvizimin rreth ambicies sonë që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027, duke evidentuar progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio-ekonomike, politikat mjedisore, bashkëpunimin rajonal dhe përputhshmërinë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Kjo draft-rezolutë është një tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për publikun tonë: Shqipëria po ecën me ritëm, me qëndrueshmëri dhe me qartësi strategjike në drejtimin e duhur. Të njëjtën gjë konfirmuan edhe takimet që delegacioni pluralist i Parlamentit Europian zhvilloi në Tiranë gjatë kësaj jave.

– Rritja e pagave për 720 efektivë policie

Rreth 720 efektivë të Policisë së Shtetit, ata që shërbejnë në vijën e parë të përballjes me rrezikun më të lartë, do të përfitojnë rritje të mëtejshme page. Forcat RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat e Posaçme Operacionale do të mbështeten ende më shumë për punën sfiduese dhe të vyer që bëjnë në shërbim të komuniteteve, në shërbim të atdheut tonë të përbashkët. Një inspektor në RENEA do të paguhet tanimë afro 1.600 euro, ndërsa një drejtues në këtë strukturë do të arrijë në afro 2.300 euro. Për forcat operacionale, paga e një inspektori do të shkojë rreth 1.200 euro, ndërsa për një kryekomisar mes 1.600 dhe 1.700 euro. Bashkë me investimet serioze në teknologji, trajnim dhe pajisje, kjo rritje është një pjesë tjetër e qasjes konstante për forcimin e rendit dhe vendosjen e një raporti sa më të drejtë mes kërkesës për rezultate dhe vlerësimit sa më të përshtatshëm të këtyre rezultateve.

-Depozitimi i rreth 167 milionë euro në Llogarinë Speciale të Fondit të Pensioneve

Këtë javë është kryer edhe një transferim i rëndësishëm financiar që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e sistemit të pensioneve dhe me çka jemi zotuar për gjyshet dhe gjyshërit e kësaj republike. Sikundër e kishim paralajmëruar, fondet e kursyera buxhetore të vitit 2025 do të  depozitoheshin në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë, gjë që sapo është bërë në një shumë prej 167 milionë euro. Transferimi i këtyre 167 milionë eurove në këtë fond e rrit kapacitetin e sistemit për të përballuar, qoftë ato që janë zotime të marra gërmë për gërmë, shifër për shifër dhe muaj për muaj e vit për vit ndaj pensionistëve, por edhe  detyrimet afatgjata duke garantuar kështu rritjen e premtuar të pagave mujore për pensionistët, si dhe qëndrueshmërinë e sistemit.

-Vizita në Kosovë

Shumë e veçantë ka qenë vizita e kësaj here në Prishtinë, në vigjiljen e ditës kombëtare të pavarësisë së Kosovës, pas bombës së prokurorëve të Hagës mbi Kosovën, si edhe po ashtu pas votëbesimit të qeverisë së re të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sebepi i kësaj vizite ishte ftesa e një miku të kahershëm dhe burri fisnik nga prishtina  profesor Ahmed Shalës, në promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, një libër që duhet lexuar për të mësuar më shumë dhe kuptuar më thellë mbi procesin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së. Por takimet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti ishin tejet pozitive, qoftë për nga këndvështrimi i harmonizimit të angazhimeve ndërkombëtare me Vjosën, qoftë për nga këndvështrimi i rritjes së bashkëpunimeve kombëtare me Albinin. Qershia mbi tortë ishte bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët i ftova me shumë kënaqësi në Tiranë për të vazhduar komunikimin tonë të filluar më herët. Ndërsa të nesërmen, më 17 të shkurtit, telefonata e përvitshme e urimit të pavarësisë që marr nga Haga ishte posaçërisht emocionuese këtë herë, pas asaj çmendurie të prokurorisë speciale. Por zëri i Komandantit nga burgu i padrejtësisë ndërkombëtare ishte realisht, sinqerisht, më i qetë se asnjëherë. Në fillim e në fund të bisedës, Hashimi më përsëriti fjalinë: “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem, atë nuk ma merr dot kurrë, askush!”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd. Ju mirëpresim!

Post navigation

Artikull paraardhës: HOROSKOPI – Çfarë ju kanë rezervuar yjet, mësoni parashikimin e fatit për ditën e diel, 22 shkurt 2026…
Artikull pasardhës: EMRAT – SPAK dërgon për gjykim 21 të pandehur për organizatë kriminale, trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe korrupsion

TË FUNDIT

kandidimi kryetar berisha 2026

VIDEO – “Neni ‘Basha’ s’ka arsye të hiqet nga Statuti”, Berisha rikonfirmon kandidimin me 23 maj…

ShkodraWeb 17 March, 2026 0
bordi administrimit unishk administratori 1 2026

FOTO – Dështon sërish mbledhja e Bordit të Administrimit për zgjedhjen e administratorit të UNISHK…

ShkodraWeb 17 March, 2026 0
selia pd tirane

Jashtë seancës plenare të Kuvendit por PD në një linjë me PS: Garda Revolucionare e Iranit, organizatë terroriste

ShkodraWeb 17 March, 2026 0

TË FUNDIT

  • VIDEO – “Neni ‘Basha’ s’ka arsye të hiqet nga Statuti”, Berisha rikonfirmon kandidimin me 23 maj… 17 March, 2026
  • FOTO – Dështon sërish mbledhja e Bordit të Administrimit për zgjedhjen e administratorit të UNISHK… 17 March, 2026
  • Jashtë seancës plenare të Kuvendit por PD në një linjë me PS: Garda Revolucionare e Iranit, organizatë terroriste 17 March, 2026
  • Arrestohet tre persona nga Zagora e Malësisë së Madhe për vjedhje, armëmbajtje pa leje dhe kanabis 17 March, 2026
  • “Eliminuam nr. 2 të Iranit”, ministri i Mbrojtjes i Izrealit jep lajmin: Larijani është në thellësitë e ferrit… 17 March, 2026
  • E RËNDË – 31- vjeçarja nga Dobraçi tenton vetëvrasjen duke gëlltitur fostoksinë, detajet nga policia… 17 March, 2026
  • Kuvendi miraton pa praninë e opozitës rezolutën, Irani shpallet shtet terrorist dhe sponsor i terrorizmit 17 March, 2026
  • ERMRI – Identifikohet autori i vendosjes së tritolit në mjetin e efektivit të policisë, pranga 32- vjeçarit me precedentë 17 March, 2026
  • VIDEO – Kapen në Muriqan 4.2 kg kanabis sativa dhe 38 mijë euro të padeklaruara, arrestohen 2 persona 17 March, 2026
  • Shqiptarët vdesin nga zemra gati 2 herë më shumë se në BE, në rritje edhe problemet e shëndetit mendor 17 March, 2026
  • SHTYPI I DITËS – Çfarë shkruajnë gazetat shqiptare për ditën e sotme, e martë, 17 mars 2026… 17 March, 2026
  • MOTI SOT – Parashikimi i sinoptikanëve për vendin tonë, për ditën e martë, 17 mars 2026… 17 March, 2026
ame sidebar

TË FUNDIT

kandidimi kryetar berisha 2026

VIDEO – “Neni ‘Basha’ s’ka arsye të hiqet nga Statuti”, Berisha rikonfirmon kandidimin me 23 maj…

ShkodraWeb 17 March, 2026 0
bordi administrimit unishk administratori 1 2026

FOTO – Dështon sërish mbledhja e Bordit të Administrimit për zgjedhjen e administratorit të UNISHK…

ShkodraWeb 17 March, 2026 0
selia pd tirane

Jashtë seancës plenare të Kuvendit por PD në një linjë me PS: Garda Revolucionare e Iranit, organizatë terroriste

ShkodraWeb 17 March, 2026 0
makine kanabis 2026

Arrestohet tre persona nga Zagora e Malësisë së Madhe për vjedhje, armëmbajtje pa leje dhe kanabis

ShkodraWeb 17 March, 2026 0
  • KUSH JEMI
  • KODI ETIK
  • PËRDORIMI
  • PRIVATËSIA
  • KONTAKTE
  • FACEBOOK
  • SHKODRAWEB
  • INSTAGRAM
  • TIKTOK
  • TWITTER
  • LINKEDIN
Portali më i klikuar në Veri | Nga 2017, Media e Lirë Online, me parimin “E Verteta nuk negociohet, sepse e Verteta të bën të lirë”. Informim, formim & argëtim, çdo gjë për audiencën. Ky është misioni ynë | Copyright ShkodraWeb © 2017- 2026 | Të drejtat të rezervuara | ShkodraWeb nga BDgraphDesign.