Edi Rama nuk ka përmendur asnjë emër për kandidat të mundshëm për Bashkinë e Shkodrës nga rradhët e socialistëve. Nga selia rozë vendore, nën zë ishte thënë se ditën e sotme, gjatë turit në M.Madhe dhe Shkodër, kryeministri Rama do të prezantonte edhe kandidatin për 30 qershorin. Në fakt, nuk ka ndodhur kështu. Në dukje jo shumë optimist, takimin e ka hapur ish- ministri i jashtëm Ditmir Bushati. Fjala e tij në fakt, është perqendruar në investimet e munguara në Shkodër, në mungesën e vemendjes së treguar nga qeveria për këtë bashki. Ai nuk ngurroi ti kërkojë shkodranëve të votojnë PS-në, duke premtuar më shumë investime dhe më shumë vemendje për Shkodrën. Prefekti i Qarkut Valdrin Pjetri, ka evokuar vlerat e Shkodrës në të kaluarën e saj, duke minimizuar krejtësisht atë, që sipas tij, qyteti përfaqëson sot. Ai ka deklaruar se ka marrë nga kryeministri premtimin se Shkodra do të ketë më shumë vëmendje me ardhjen e tij si prefekt.
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama është ndalur më shumë në situatën aktuale politike, duke treguar për marrëveshjen me Lulzim Bashën në 2017-ën. Ndërkohë, ka lakuar në të gjitha rasat emrin e Flamur Nokës, ndërsa ka përmendur edhe Jozefina Topallin. Ai ka premtuar se me 30 qershor PS do të marrë Bashkinë e Shkodrës, por ajo që ra në sy është mos prezantimi i kandidatit me të cilin ai synon ta marrë bastionin e demokratëve. Gjithsesi, ai ka lënë të hapur rrugën e një takimi tjetër, ndërsa ka thënë se do të vijë sërish për të shpalosur atë që PS do të bëjë për Shkodrën.