
Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Produkti”.
Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:
G. B., 67 vjeç, E. B., 33 vjeç (babë e bir), dhe A. B., 61 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Këta shtetas dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur për motive të dobëta 2 shtetas (babë e bir), me qëllim përfitimin e pasurisë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në aktivitetin tregtar të shtetasve G. B. dhe E. B., është konstatuar se këta të fundit prodhonin produkte ushqimore të pamiratuara nga autoritetet përkatëse, si dhe në kushte jashtë standardeve higjeno-sanitare për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë bllokimi i ushtrimit të aktivitetit dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, etiketa dhe stampa për 8 produkte të ndryshme ushqimore, si dhe 3 aparate celularë.




