
Gjatë një prononcimi për mediat në Shkodër, kreu demokrat Sali Berisha është pyetur lidhur me dosjen ish-kryebashkiakut Bardh Spahia, e cila kaloi sot për gjykim në Gjykatën e Posaçme.
Berisha tha se nuk e pengon, por përkundrazi, e nderon PD, pasi sipas tij, Spahia “shkon në SPAK dhe zbaton ligjin, ka mbrojtur Kodin e një zyrtari i cili nuk mund të pranojë delikuent në administratë. Pra ai proces na bën nder të gjithëve dhe i bën nder Shkodrës dhe qytetarëve.”
Sali Berisha: Shkodra ka ditur të triumfojë gjithmonë mbi diktatorët dhe diktaturat. Kësaj here, Shkodra do u japë leksionin më të merituar atyre që menduan se mund ta nëpërkëmbin. Shkodra është bastion i përjetshëm i vlerave të konservatorizmit, i besimit tek Zoti, tek familja, tek atdheu.
Këtu këto vlera nuk kanë vdekur kurrë dhe nuk vdesin kurrë. Këto janë vlerat themelore të lirisë, këto janë vlerat themelore të konservatorizmit. Shkodra është djepi i tyre.
…Zoti Spahia na nderon në Shkodër. Dhe shpejt qytetarët e Shkodrës do marrin vesh se kush është ai që i qeveris aty, se çfarë përfaqëson bashkiaku i Dobraçit. Do e mësojnë shumë shpejt.
U jap fjalën se qytetarët e Shkodrës do mësojnë shumë shpejt se ç’përfaqëson Beci i Dobraçit. Kurse Bardh Spahia shkon në SPAK se ka zbatuar ligjin, ka mbrojtur kodin e një zyrtari, i cili nuk mund të pranojë delinkuentë në administratë.
Pra, ai proces na bën nder të gjithëve ne dhe i bën nder Shkodrës dhe çdo qytetari. Tani, e vërteta është që ka një dosje tmerrësisht të rëndë për Benet Becin, me të cilën e mban peng Edi Rama. Por ne jemi kundër politikës së pengjeve.