VIDEO – “Ka nga ata që paguhen nga…”, Rama sulmon sërish analistët: E di që më doni në burg, por…

Kryeministri Edi Rama foli sërish për paketën “Anti-KÇK”, që ai e lidh me gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, duke i paralajmëruar këta të fundit nga foltorja e Kuvendit se nuk do t’i shpëtojnë burgut. Kreu i qeverisë tha se të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që nuk e kanë kaluar Vettingun, do të thirren sërish për të dhënë llogari për pasurinë e tyre, e cila sipas Ramës, jo vetëm që do iu merret, por do të përfundojnë edhe ata në burg, bashkë me shokët e tyre, me të cilët e kanë vënë.


Më tej, Rama sulmoi sërish mediat, teksa foli për atë që ai e cilësoi si “zhurmë” se pse goditja nuk nis nga politikanët, duke thënë se nuk mund të bëjë ai verifikimin e pasurisë së tij apo të politikanëve të tjerë.

“Kjo është betejë që nuk ka kufij politikë. Nuk ka rëndësi fare kush po e bën këtë betejë, kush do t’i marrë meritat, por ka rëndësi për çdo familje, për çdo emigrant, që iu merret prona sy për sy, dhe kush ua merr, ua marrin këta. Shikoni ç’po heqim me zonat për të rindërtuar në Durrës, me mijëra e mijëra katrorë të pronës publike, që në hartë duken bosh dhe në pamje të parë duken sikur janë të shtetit, por kur futesh nëpër labirinthe sheh lloj- lloj rrumash, që janë bërë pronarë me hektarë. Po marrim një risk real, në kushtet kur sistemi i drejtësisë është ende fraxhil, por ama kemi arsye të besojmë se këtë betejë do ta fitojmë, pasi kemi SPAK. SPAK ka lindur për këtë, SPAK është aty që të bëjë këtë.

Ne kemi kaluar një ligj, që i jep policisë në dorë dy gjëra të rëndësishme, së pari të veprojë me një listë të mbyllur, që do të thotë se subjektet e kësaj liste janë njerëzit e dënuar për një numër veprash, që janë veprat më të rënda, të cilëve nuk ju hapet një hetim penal sot, por iu bëhet një verifikim i pasurisë, që nuk iu është bërë kurrë; e dyta nuk është policia, apo prokuroria, por janë këta që duhet të provojnë se kjo pasuri nuk buron nga kr.i.mi. Ke vr.a.rë, ke trafikuar njerëz, vajza, dr.o.gë, ar.m.ë, ke bërë dënimin apo je duke bërë dënimin, duhet të na thuash si i ke vënë këto pasuri, a të takojnë apo jo. Ti je i lirë, je dënuar, e ke kryer dënimin, por ti do të gëzosh ato që të takojnë, jo ato që s’të takojnë.

Ka një tjetër zhurmë të madhe nga ata që e kundërshtojnë paketën, nga media e analistë që paguhen nga kr.i.mi i organizuar për t’iu bërë avokatin, dhe thonë ‘pse nuk e filloni nga vetja, nga Surreli’. E di që më doni në burg, por nuk mund të hetoj unë pasurinë time, pra nuk jemi ne që e bëjmë këtë. Inspektorati i Deklarimit të Pasurive është aty për të kontrolluar pasurinë tonë. Nuk është policia që duhet të kontrollojë pasuritë e politikanëve apo të gjykatësve. Nuk është qeveria, larg qoftë, që duhet të kontrollojë pasuritë e politikanëve apo gjykatësve, se nuk jemi në vitin 1945.

Këto janë çështje të institucioneve të drejtësisë së pavarur, që ne po ndërtojmë. Vettingu nuk është gjykatë që të çon në burg, është një proces që vendos që je në rregull, i ke duart e pastra për të marrë atë çekiçin dhe për t’i rënë çangës, apo i ke duart pis dhe del nga sistemi. Dhe pastaj ata njerëz me duart të pastra do t’i thërrasin këta me duart të pista dhe do u thonë se ‘ka ardhur dita të provoni se pasuritë i ke bërë me djersën e ballit, ndryshe jo vetëm që nuk të takojnë, por nuk je më për të fjetur në shtëpi, por do shkosh të flesh me shokët, me ata që ke bërë pasuritë’”, deklaroi kryeministri.