
KF Vllaznia ka organizuar një takim me sportistë, drejtues të klubit, stafin teknik dhe administrativ dhe Akademisë për të diskutuar lidhur me vendimin e Bashkisë Shkodër për zhvillimin e koncertit recital të Bujar Qamilit me 21 qershor në stadiumin “Loro Boriçi”.
Presidenti Alban Xhaferi, sekretari i përgjithshëm i klubit Blendi Dibra, kapiteni Bekim Balaj, zyrtari Alban Hasani dhe mjeku sportiv Zyhdi Çoba, janë shprehur kundër koncertit, duke nënvizuar rëndësinë e ndeshjes së Vllaznisë në kupat e Europës në Shkodër.
Ata kanë kërkuar që Bashkia e Shkodrës të reflektojë, teksa ka patur edhe pohime se vendimi për koncertin duhet të merret nga Këshilli Bashkiak, ndërsa kanë shtuar se ka një marrëveshje trepalëshe KF Vllaznia- FSHF dhe Bashkia Shkodër.
Ndërkohë, KF Vllaznia ka reaguar sërish, me një tjetër deklaratë lidhur me situatën e krijuar, në të cilën shkruhet: “Për herë të parë në historinë e klubit, ekziston rreziku real që KF Vllaznia të mos zhvillojë ndeshjet ndërkombëtare për Kupat e Europës në stadiumin e vet, për shkak të një vendimmarrjeje të njëanshme dhe të pa konsultuar që ka ndryshuar destinacionin e përdorimit të stadiumit. Ky vendim është marrë në mënyrë të paligjshme dhe duke injoruar paralajmërimet e përsëritura nga Klubi dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Për të diskutuar mbi këtë situatë alarmante, sot është mbajtur një takim i jashtëzakonshëm me pjesëmarrjen e futbollistëve, stafit teknik dhe drejtuesve të klubit. Të gjithë të pranishmit kanë shprehur shqetësimin dhe indinjatën e tyre lidhur me zhvillimet e fundit, të cilat cenojnë jo vetëm të ardhmen europiane të klubit, por edhe imazhin e qytetit dhe të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht situatës së krijuar, KF Vllaznia mbetet e hapur për dialog dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të shpejtë, në funksion të interesit të sportit dhe të komunitetit shkodran. KF Vllaznia është më shumë se një klub futbolli – është identiteti i një qyteti dhe krenaria e një historie të gjatë e të lavdishme.