Policia e Tiranës ka vënë në pranga nje të ri, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia. Në pranga ka përfunduar Donald Rushiti 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi ndaj tij gjykata e Torinos ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale vepra të rënda penale. Ai akuzohet për “Vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.
Sakaq policia e Tiranës ka ndaluar edhe një 53-vjeçar pasi është dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë për ‘mashtrim kredi’.
Njoftimi i policisë:
Operacion për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar nga Forca e Posaçme e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në D.V.P.Tiranë në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Kapet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak” dhe një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar për veprën penale “Mashtrim Kredi”.
Forca e Posaçme e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në D.V.P.Tiranë në bashkëpunim me Interpol Tirana, kapën dhe arrestuan përkohësisht shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
D. R., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Torinos/Itali ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, parashikuar nga nenet 110, 575 të Kodit Penal Italian, ku maksimumi i dënimit është 21 vjet burg.
Gjithashtu nga Forca e Posaçme e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në D.V.P.Tiranë u kap shtetasi në kërkim kombëtar:
V. Gj., 53 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur ndaj këtij shtetasi dënimin me 1 vit e 8 muaj burg për penale “Mashtrim Kredi”, parashikuar nga neni 146 i Kodit Penal.