
Ditën e djeshme u shënua 35 vjetori i revoltës së të burgosurve të Qafë- Barit, dhe shumë vuajtës të tmerrit të atij burgu kanë shkuar sërish në “ferr” për të mos harruar se çfarë ndodhi. Por ajo që ka qenë mjaft prekëse, ka qenë një takim mes dy miqve, dikur të burgosur në Qafë- Bari dhe që kishin mbi 3 dekada që nuk shihnin njëri tjetrin.
Kosta Gjordeni dhe Tonin Dema, mezi e kanë njohur njëri-tjetrin e më pas janë përqafuar mes lotësh. Videon e ka postuar Jozef Radi, i cili shkruan në statusin e tij në rrjetin social se këta dy bashkëvuajtës takohen pas ngjarjeve të vitit 1984.
“Dy bashkëvuajtes të tmerrit të majit 1984 takohen mbas shumë vitesh… Kosta Gjordeni nji nga herojtë e Revoltës qe nga ajo ditë mbajti 30 vite plumbin ne shpatull dhe ishte me nje dore… me dy miqtë e tij Tonin Dema dhe Zef Luka… lotët e kësaj bisede në takimin mes tyre, dhe dhimbja qe vazhdon të jetojë në shpirtrat e tyre, ishin nga çastet më prekëse të kësaj dite…
Me qindra njerez takuan dramen dhe qendresen e tyre nen diktature…”, shkruan Jozef Radi.