
Turizmi në Shkodër po njeh një rritje të ndjeshme, edhe përpara nisjes zyrtare të sezonit. Një grup studentësh nga Belgjika, plot energji dhe kureshtje, zgjodhën pikërisht Shirokën për të eksploruar natyrën. Ata thanë se janë të mahnitur nga peizazhi i mrekullueshëm që bashkon malin me liqenin, teksa dëshironin të shijonin eksperienca të veçanta përmes sporteve ujore, si kanotazhi në liqenin e Shkodrës.
Student: “Mendoj se është një qytet shumë i bukur. Shtëpitë janë shumë moderne. Desha të vij këtu sepse doja të shihja liqenin dhe, nëse jam aq i guximshëm, të notoja në liqen. Është një liqen shumë i bukur dhe unë dua shumë të shoh vende që kanë liqenin dhe malin së bashku. Është shumë këndshëm.”
Studente: “Zgjodhëm Shkodrën sepse është një qytet shumë i bukur dhe këtu ka shumë male. Megjithatë, uji në liqen duket shumë i ftohtë. Erdhem sepse jemi studentë, kemi pushimet dhe këtu është shumë mirë.”
Student: “Kjo bluzë është një dhuratë për mua dhe më pëlqen. Përshtypja ime e parë, siç themi ne në frëngjisht, është një peizazh i bukur. Është një vend shumë i mirë, njerëzit janë të mirë, të buzëqeshur. Bashkëjetesa fetare mes myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve është diçka shumë e mirë. Unë nuk e zgjodha Shqipërinë, e zgjodhi mësuesja, por personalisht po më pëlqen shumë. Mësuesja ime propozoi Shqipërinë dhe unë i thashë: po!”
Pikërisht mësuesja e grupit kishte rekomanduar Shqipërinë si një destinacion që duhet vizituar, duke theksuar se Shkodra si qytet ka gjithçka – Alpe për hiking, mbrëmje të këndshme në shëtitore, por edhe çmime të arsyeshme.
Mësuesja: “Ne zgjodhëm Shqipërinë sepse është një mundësi për të bërë udhëtime aventureske. Këtu mund të shohim shumë male, ndryshe nga Belgjika që është një vend i sheshtë. Kemi ardhur për të parë malet dhe peizazhet natyrore, sepse studentët nuk janë të mësuar me këto pamje dhe tani mund të eksplorojnë natyrën. Prandaj zgjodhëm Shqipërinë, sepse është e thjeshtë për të bërë udhëtime të shkurtra dhe nuk është shumë e shtrenjtë për ne. Në Shkodër kemi mbërritur pardje. Dje ishim në Alpe, në Theth, dhe bëmë hiking. Studentëve iu pëlqeu shumë, sepse është shumë ndryshe nga vendi ynë. Po ashtu, rrugët e qytetit janë shumë të këndshme. Ka shumë gjallëri në restorante dhe bare. Studentëve u pëlqen të pinë diçka të ftohtë dhe të shijojnë një picë. Sigurisht që Shkodrën e rekomandoj për të parë malet, për të bërë ecje dhe për të vizituar liqenin.”
Shkodra po e dëshmon gjithnjë e më shumë potencialin e saj turistik. Edhe pse ende në fillim të pranverës, prania e vazhdueshme e turistëve është një sinjal i qartë: Shkodra po shndërrohet në një destinacion të dashur ndërkombëtar, ku natyra, kultura dhe mikpritja ndërthuren në mënyrë unike