Aksidenti i rëndë pasditen e djeshme në Lezhë, shkaktoi një viktimë, që nga informacionet paraprake u tha se ishte shoferi i mjetit, por në fakt ishte pasagjer në makinën që u aksidentua. Policia ka zbardhur dinamikën e aksidentit, ndërsa ka arrestuar edhe drejtuesin e mjetit Nikoll Gjoni, 27 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë.
Ndërsa Paulin Gjomarkaj, i cili ndërroi jetë ishte pasagjer në mjet. 27-vjeçari Nikoll Gjoni po i jepte mjetit më shumë shpejtësi dhe pas një parakalimi të gabuar, ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe përplasur me sinjalistikën rrugore e më pas me një grumbull gurësh.
Siç është konstatuar edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, 27-vjeçari i arrestuar lëvizte me shpejtësi mjaft të lartë, duke rrezikuar edhe dy automjetet që po kalonin në të njëjtën kohë. Pas përplasjes së fuqishme makina është rrotulluar 2 herë duke i marrë jetën Gjomarkajt.