Si rezultat i një pune intensive hetimore, të kryer me metoda speciale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i dy rasteve të vënies së lëndës plasëse në biznesin dhe në banesën e shtetasit Ardian Fierza. Bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit proaktiv, rezultoi se autori i dyshuar edhe për rastin e dytë të vënies së lëndës plasëse, është shtetasi Benard Pllumbaj, 35 vjeç.
Në vijim të hetimeve rezultoi se ky shtetas ka bashkëpunuar me motrën e tij, shtetasen Lumturie Pllumbaj, për marrjen e një shume parash nga shtetasi Ardian Fierza, me të cilin kishte konflikt pronësie për angjencinë funerale.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i shtetases Lumturie Pllumbaj (Rakaj), 38 vjeçe, banuese në Shkodër. Gjatë kontrollit në subjektin që administronte (parukeri), shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 0.5 kg lëndë narkotike kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Benard Pllumbaj, me precedent të mëparshëm për armëmbajtje pa leje, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura dhe kanë sekuestruar: 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 1 radio dore si e Policisë, 1 laptop, 1DVR dhe 11 celularë. Vijon puna për kapjen e 35-vjeçarit.