
Kryebashkiakja Ademi ka qenë sot e pranishme në ceremoninë e organizuar në Shkodër në nderim të 13 Dhjetor 1990. Qytetarja e parë e Shkodrës, më pas, i është përgjigjur interesit të mediave, lidhur me protestën e një dite më parë por edhe procedimin penal të policisë ndaj saj si organizatore.
Ademi ka kërkuar që të bëhet një hetim i thellë lidhur me sulmin ndaj selisë së PS- së, ndërsa ka ripohuar se ka qenë në protestë si pjesëmarrëse, ashtu siç edhe çdo qytetar tjetër. Lidhur me procedimin penal të publikuar nga policia, Ademi ka thënë se nuk habitem.
Kryebashkiakja ka nënvizuar sërish se ka njoftuar policisë sapo ka mësuar se po sulmohej selia e PS-së dhe ka shtuar se kjo gjë, mund të provohet nga regjistrimet e sallës operative të policisë, në numrin 129. Përsëri Ademi ka shprehur habinë e saj se pse policia e Shkodrës ndërhyri 40 minuta me vonesë për të parandaluar veprimet e shëmtuara.