
Hapet zyrtarisht për qarkullimin e automjeteve by- pass- i Shkodrës. Ka qenë ministrja e Infrastrukturës dhe Eenergjisë Belinda Balluku që ka njoftuar lajmin përmes një video në Facebook nisjen e qarkullimit të makinave në pjesën që shënon përfundimin e lotit 1. “Hapet për qarkullimin e automjeteve Loti 1 i bypass-it të 📍Shkodrës”, shkruan Balluku.
Balluku shoqërohej nga ministrja për Mbështetjen e Sipërmarrjes Edona Bilali, njëkohësisht edhe deputete e Shkodrës dhe koordinatore e PS- së për Qarkun Shkodër si dhe drejtori i ARRSH- së për Rajonin e Veriut Ervin Sadiku.
Të gjithë bashkë kanë ecur për rreth 15 minuta në gjatësinë e rrugës së përfunduar, teksa ministrja Balluku ka folur lidhur me punën e bërë teksa ka kërkuar që ky investim, pas përfundimit të punimeve, të mirëmbahet në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër.
Balluku ka shtuar se shumë shpejt do të jetë përsëri në Shkodër, duke thënë se ka projekte të tjera. Ministrja nuk ka dhënë detaje, duke e lënë “mister” se cilat mund të jenë projektet e infrastrukturës apo energjisë në Shkodër.
Është një lot që përbëhet nga 4.8 kilometra gjatësi, me dy kalime nga 7 metra gjerësi për lëvizjen e makinave. Ky segment do të lehtësojë shumë trafikun dhe lëvizjen brenda qytetit. /ShkodraWeb/




