
Me një vizion të qartë për një qytet më të gjelbër dhe më të shëndetshëm, të rinjtë e ACT for Shkodra kanë ndërmarrë një nismë mjedisore domethënëse në bllokun e pallateve Xhabije. Në kuadër të inisiatives Urban Farm, janë mbjellë 50 pemë dhe frutore në hapësira komunitare dhe kopshte komunitare, duke i dhënë jetë zonës dhe duke forcuar kulturën e kujdesit për mjedisin. Në zemër të këtij aksioni janë të rinjtë që flasin për ndryshimin dhe e kthejnë atë në veprim konkret.
Çdo pemë mban një emër dhe do të përkujdeset nga të rinjtë që e kanë mbjellë, ndërsa frytet e këtyre pemëve do të jenë për të gjithë, për t’u shijuar nga komuniteti pa dallim. Kjo nismë e kthen gjelbërimin urban edhe në një akt bashkëndarjeje dhe solidariteti. Aksioni do të vijojë një herë në muaj, duke u shtrirë edhe në hapësira të tjera të qytetit, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të ACT for Shkodra për një qytet më të jetueshëm.




