Shkodra është një qytet që njihet ndër shekuj për prodhimtarinë e pasur të zejeve me modele dhe dizenjo shumë të veçanta, me një teknikë dhe kulture tipike. Si në të gjitha vendet e tjera, edhe në Shkodër këto punime artizanale kanë pasur lëkundje, me uljet e ngritjet e saj deri në ditet tona.
Sot artizanati po kalon kohë të vështira pasi po përballet me një treg gjithnjë e më shumë të dominuar nga prodhime, forma dhe modele industriale të importuara nga jashtë, duke shmangur dhe eliminuar punën artizanale dhe punimin me dorë.
Prandaj në mbështetje të artizanëve shkodranë, Bashkia Shkodër në partneritet me Programin Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD) kanë financuar projektin “Green Artisan -Artizanati në mbrojtje të mjedisit”, i cili po zbatohet nga Shoqata e Artizanëve dhe Zejtarëve të Shqipërisë.
Ky projekt ka për qellim zhvillimin e artizanatin nëpërmjet shfrytëzimit të materialeve të riciklueshme, duke bërë art dhe duke përmirësuar mjedisin ku jetojmë. Kjo është një ide e gjelbër që nuk është zbatuar asnjëherë më përpara. Risia e saj qëndron në futjen e linjave të reja të prodhimit artizanal, të zejeve të ndryshme me materiale të riciklueshme.
Për të qënë miqësor ndaj mjedisit, nëpërmjet këtij projekti janë shfrytëzuar materialet e riciklueshme si mbetje druri, mbetje metalike, mbetje industriale, duke bërë art me mbetjet mjedisore dhe duke përmirësuar mjedisin ku jetojmë. Prandaj projekti “Green Artisan -Artizanati në mbrojtje të mjedisit” ka patur në fokusin e tij:
1. Krijimi i 20 modeleve të artikujve të ndryshëm artizanal me mbetje të riciklueshme, jo vetëm duke ruajtur, por edhe duke zhvilluar artizanatin nëpërmjet risisë së shfrytëzimit të materialeve në mbrojtje të mjedisit.
2. Rikthim i kapaciteteve njerëzore të lëna në harresë në veprimtari krijuese. Mobilizimi dhe riangazhimi i specialistëve më të mirë të Ish- Ndërmarrjes Artistike Shkodër në krijimin e produkteve të reja dhe të teknikave të aplikimit të tyre, të piktorëve të specializuar në dizenjimin e artikujve të rinj, të punëtorëve artizanë me stazh të vjetër dhe të mekanikëve specialist në krijimin dhe përgatitjen e paisjeve dhe veglave me modele konform dizenjove.
3. Fuqizimi ekonomik i artizanëve përmes krijimit të mundësive të reja për shitje
Duke i krijuar artizanëve një treg të përshtatshëm për shitjen dhe promovimin e punimeve të tyre, nëpërmjet panairit që kemi planifikuar, ata do të fuqizohen ekonomikisht, duke i orientuar në lidhje me kostot e produkteve të reja dhe duke i motivuar të përmirësohen dhe të investojnë në këtë krijimtari të re.
4. Promovimi i aktiviteteve kulturore në zonat turistike
Përveç bregdetit dhe natyrës së zonës së Velipojës, një vlerë të shtuar do t’ia japë edhe ky panair gamës së aktiviteteve promovuese në funksion të turizmit kulturor bregdetar.