VIDEO – Gazetari Taulant Kopliku promovon filmin dokumentar dhe nderohet me çmimin “Hamit Boriçi”…

Gszetari shkodran Taulant Kopliku ka promovuar mbrëmjen e të premtes filmin e tij dokumentar të titulluar “DAESH”. Pavarësisht se prej vitesh jeton e punon në Itali, ai ka dashur të promovimin e krijimit të tij të parë ta realizojë pikërisht në vendlindjen e tij, në qytetin e Shkodrës.

Salla e Kinema “Millennium” është mbushur me gazetarë, autoritete, miqe të të ftuar por edhe qytetarë të interesuar për ta ndjekur filmin dokumentar. Për dramën e krijuar nga një shtet imagjinar në Siri dhe Irak, kemi parë e dëgjuar shumë por për herë të parë, është një gazetar shkodran që tregon atë pjesë që lidhet me shqiptarët.


Gazetari Kopliku u bë i njohur për angazhimin e tij, si pjesë e programit investigativ italian “Le Iene”, për sensibilizimin për rastin e Alvin Berishës, i cili u bë e mundur të kthehet pranë familjes në Itali. Edhe pas këtij rasti, gazetari shkodran ka vijuar të ndjekë nga afër rastet e shqiptarëve në kampet në Siri si Al Hol dhe Roj.

Dokumentari “DAESH” është një dëshmi e fortë, e drejtpërdrejtë e kalvarit të kaluar nga banorët në Siri e Irak nën ISIS, por edhe e dramës që pasoi me krijimin e kampeve ku u strehuan gra e fëmijë edhe shqiptarë. Sipas Koplikut, janë mëse 50 bashkëkombas që presin të riatdhesohen nga kampet ku jeta e tyre është një sketerrë e plotë.

Në fund të premierës së filmit, gazetari Taulant Kopliku është nderuar me titullin “Hamit Boriçi” nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, diplomë që iu dorëzua nga kryetari Aleksandër Çipa. /ShkodraWeb/