
Kreu i opozitës, Lulzim Basha pas protestës 4 orëshe, tha nga selia e PD-së, se largimi i Edi Ramës është firmosur nga populli dhe se opozita ia doli që sot me gjithë motin e keq, të zhvillojë protestën më të madhe.
“Me gjithë sfidën e motit, ne ia dolëm të mbanim sot protestën më të madhe dhe të demonstromin vendosmërinë tonë për t’i shkuar betejës deri në fund, deri në fitore. Qeveria krminale dhe ilegjitime e Edi Ramës, e cila mbahet me paratë e krmit dhe oligarkëve, sot u soll si pushtues ndaj protestuesve. Le ta dijë se asnjë veprim i kundraligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet dhe as përpjekja për të intimiduar njerëzit nuk ka për të pasur sukses. Fundit i Edi Ramës është firmosur nga populli sovran”, tha Basha.
Ndërkohë, pak pas fjalës së Bashës, kryeministri Edi Rama publikoi një foto të një punonjësi policie të plagosur, duke theksuar se protesta nuk ishte e madhe por thjesht e turpshme. Kryeministri thekson se opozita do ta marrë përgjigjen më 30 qershor.
“Nëse kjo ishte protestë e madhe atëherë filxhani është shkencë, Saliu është astronom dhe pakica është shumicë! Në fakt kjo s’ishte as e madhe, as e denjë po thjesht e turpshme për PDLSI! Këta humbës të pashërueshëm po rrisin çdo ditë faturën që do u presë Sovrani në 30qershor?”, shkruan Rama në Twitter.