
Bashkia Shkodër i ka rikujtuar qytetarëve dhe bizneseve se, në zbatim të Ligjit nr. 86/2025 dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave, kanë hyrë në fuqi lehtësitë për fshirjen ose shuarjen e detyrimeve të taksave dhe tarifave vendore.
Në një intervistë për mediat Drejtori i të Ardhurave pranë Bashkisë Shkodër Ardit Behari është shprehur së të gjitha detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht dhe nuk kërkojnë asnjë pagesë apo aplikim nga ana e taksapaguesve.
Për detyrimet e periudhës 2015–2019 parashikohet falja e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, ndërsa principali mund të shlyhet sipas dy alternativave: me pagesën e 50% të principalit deri më 30 qershor 2026 ose 75% deri më 31 dhjetor 2026.
Qytetarët dhe bizneset që përfitojnë nga fshirja ose shuarja e detyrimeve janë të ftuar të paraqiten pranë sporteleve të Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore për të përfunduar procedurat. Për më shumë informacion dhe asistencë mund të kontaktojnë në adresën elektronike taksat@bashkiashkoder.gov.al ose pranë drejtorisë së të ardhurave në Bashkinë Shkodër.




