Kreu i qarkut Shkodër Edmond Ndou priti në një takim një delegacion Arbëresh të kryesuar nga disa kryetar bashkish, me të cilët nën atmosferën e festave të nëntorit, zhvilloi një bashkëbisedim me fokus bashkëpunimin dypalësh në fushën e artit, kulturës, ruajtjes së gjuhës e traditave etj. Duke vlerësuar ruajtjen që i kanë bërë gjuhës shqipe dhe zakoneve ndër shekuj komuniteti arbëresh në Itali, Ndou e cilësoi të rëndësishme nisjen e nje faze të re bashkëpunimi mes këshillit të qarkut dhe bashkive atje, përballë sfidave që ka sot Shqipëria dhe diaspora.
Për kryebashkiakun e rajonit të Molise, Giorgio Manes, ardhja në Shkodër dhe në Shqipëri është një emocion i vecantë, pasi këtu janë rrënjët e tyre. Ai falënderoi kryetarin Ndou për mundësinë e këtij takimi dhe iniciativën për të krijuar ura bashkëpunimi.
Giorgio Manes, kryetar i bashkisë Molise: Kjo është hera e tretë që ndodhem në Shqipëri, në tokën e të parëve të mi dhe vërtet ndjej një emocion të vecantë sa herë gjendem këtu. Pasi jemi i njëjti gjak. Dua të të falënderoj për këtë pritje dhe për mundësitë e bashkëpunimit që po na krijon si komuna arbëreshe me këshillin e qarkut. Kemi një gjuhë të përbashkët, traditat dhe zakonet që na lidhin dhe mundësitë për të patur bashkëpunime janë të shumta, prandaj do të punojmë për ti finalizuar sa më parë. Do të kemi të tjera takime, ju presim edhe ju në mesin tonë, atje ku gjendet komuniteti arbëresh.
Mundësitë e bashkëpunimit në fushën e edukimit, shkëmbimeve kulturore, turizmit etj mes këtyre rajoneve janë të shumta, prandaj këshilli i qarkut Shkodër dhe bashkitë arbëreshe do të nisin menjëherë punën për t’i konkretizuar me marrëveshje konkrete mes tyre.