VIDEO – “Festa e Thethit” për promovimin e zonës së njohur turistike por edhe mbarë Dukagjinit…

Zona turistike e Thethit në Bashkinë e Shkodrës është ndër më të frekuentuarat e turizmit malor. Prej shumë vitesh, është kthyer në pikë referimi për turistët vendas dhe të huaj.

Promovimi i vlerave të Thethit por edhe Dukagjinit në përgjithësi, është në fokusin e Bashkisë së Shkodrës. Në këtë kuadër, organizohet edhe “Festa e Thethit” që është një demonstrim i vlerave të gjithanshme, natyrore e njerëzore.


Në qendër të Thethit, në një ambjent mjaft festiv, është organizuar një aktivitet i larmishëm, gërshëtim i artit, këngës, produkteve të zonës etj. Fjalën përshendetëse e ka mbajtur kryebashkiaku Bardh Spahia, i cili është shprehur se ka një lidhje të veçantë me Thethin por edhe Dukagjinin. Babai i tij, i ndjeri Ali Spahia, mjek i njohur, u dërgua në këtë zonë si i dënuar i ndërgjegjes. Ai punoi me përkushtim duke lënë pas një emër mjaft të mirë edhe në ditët e sotme.

Aktivitetin e ka përshendetur edhe Greta Bardeli, deputete e Qarkut të Shkodrës por edhe përfaqësuese e Dukagjinit në Kuvend. Ajo ka evokuar traditat e zonës dhe rolin e gruas dukagjinase në etapat që ka kaluar kjo zonë.

Ka qenë një ditë e mbushur me aktivitete, takime dhe biseda në ajrin e freskët të Thethit.