Janë prezantuar sot në ambientet e federatës shqiptare të futbollit trajnerët e rinj të kombëtareve të moshave pas shkarkimit të 3 prej tyre me motivacionin për ‘rezultate të dobta’.
Në fjalën e mbajtur nga ish-trajneri i U-17 Xhemal Mustedaganic, i cili tani do të vijojë të jetë në postin e drejtorit teknik, u tha se për të ardhmen është ndërtuar një strategji ku kombëtaret zinxhir prioritet do të kenë furnizimin me futbollist nga kampionati vendas të Kombëtares A, më tej do të jenë rezultatet.
Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i Federatës, Ilir Shulku, saktësoi se trajnerët e rinj të kombëtareve të moshave do të jenë me kohë të plotë, ndryshe nga paraardhësit e tyre. Shulku gjithashtu tha se ky ishte edhe shkaku i largimit të Erion Bogdanit nga U-19.
Në prezantimin e tyre trajnerët u shprehën:
“Ne kemi nevojë si Kombëtare të kemi edhe rezultate. Faliminderit të gjithëve për përzdhjen dhe shpresoj të bëj më të mirën përgjatë kohës që do të jem në punë,”-shprehet Elvis Beqiri.
“Do mundohem në çdo moment të kem informacion për çdo lojtar të mundhsëm që unë mbuloj në të gjithë Shqipërinë, pastaj nga jashtë. Unë jam te U-19 dhe besoj se do të marrim më të mirën nga të gjithë lojtarët,”-shprehet Nevil Dede.
“Do jetë një sfidë e vështirë që të gjesh të gjhithë talentet e kësaj grupmoshe, por besoj se bashkë me stafin e federatës do të bëjmë një punë të mirë,”-deklaron Armando Damo.
Në fund sekreti i Federatës Shulku tregoi se do të formohen edhe ekipet Kombëtare të U-16, U-18 dhe U-20.
Elvin Beqiri është aktualisht edhe zëvendëstrajner tek Vllaznia. Nuk është e qartë nëse do të vazhdojë punën tek kuqeblutë, teksa sot ai u prezantua si trajner me kohët të plotë. Aq më shumë kur u tha se Erion Bogdani iku nga drejtimi i një ekipi kombëtar pikërisht për këtë arsye.