Vllaznia hap fals në rifillimin e Supërligës dhe në “Loro Boriçi”. Shkodranët janë mundur nga Egnatia me rezultatin minimal 0- 1 dhe i kanë liruar vendin në klasifikim.
Një pjesë e parë e dominuar totalisht nga miqtë, të cilët gjejnë rrugën e rrjetës me Fernando në minutën e 44- ët. Me këtë rezultat u mbyllën edhe 45 minutat e para të ndeshjes.
Në pjesën e dytë, me futjen e Latifit, Vllaznia është më kërkuese dhe sheh më shumë nga porta e Egnatias. Latifi merr një 11- metërsh në minutën e 55 dhe duke kopjuar Kane në “Qatar 2022”, e nxjerr topin jashtë kuadratit të portës.
Ka kohë edhe për një gol tjetër të Egnatias nga Fernando. Pasi shikoi rastin e sinjalizuar nga VAR, arbitri vendosi se aksioni i miqve nis me faul ndaj Aralicas, duke anulluar golin.
7 minuta shtesë në fund të ndeshjes nuk sjellin asgjë. Egnatia fiton në Shkodër, ngjitet në vendin e tretë ndërsa Vllaznia është e pesta, shumë larg pritshmërive, të paktën të tifozëve.