
Trajneri i Vllaznisë Thomas Brdaric ka respekt për ekipin e Laçit, trajnerin e tij me përvojë që ka sjellë rritje në lojë e rezultate por kërkon vetëm fitore në ndeshjen e të shtunës. Në konferencën e zakonshme për mediat, timonieri i Vllaznisë ka një falënderim të veçantë.
Brdaric pranon aspektin e lodhjes fizike pas 120 minutave të Kupës por shton se kemi një skuadër të madhe, disa lojtarë mund ti lëmë pushim, pasi të gjithë kërkojnë të luajnë.
Është një nga ndeshjet më të vështira që mund të përgatisim me Laçin, me një trajner me mjaft eksperiencë, pas ardhjes së tij ekipi është rritur më shumë, vijon timonieri kuqeblu. Megjithatë, Brdaric thotë se ne jemi Vllaznia dhe shpresojmë të arrijmë objektivin e nesërm, që është fitorja.