
Imam Muhamed Sytari, ka sqaruar sot para besimtarëve dhe mediave në Xhaminë e Parrucës, procesin lidhur me tregun e Zdrales, i cili ditët e fundit, ka qenë në fokus pas protestës së tregtarëve para Myftinisë dhe Bashkisë Shkodër.
Ai ka thënë se që në vitin 2013, trualli ku është vendosur tregu, ka kaluar në pronësi të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Sapo kjo ka ndodhur, tregtarët janë thirrur dhe njoftuar për ta liruar pas rreth dy viteve, në vitin 2015.
Kjo nuk ndodhur dhe në vitin 2019, janë ftuar tregtarët të nënshkruajnë kontrata ligjore me Myftininë për shfrytëzimin e tregut me një tarifë 50 lekë në ditë. Nga ky vit, deri në 2024, pagesat e tregtarëve janë ulur në mënyrë drastike, teksa në vitin 2024, kanë paguar vetëm 6 tregtarë.
Myftiu Sytari ka sjellë në vëmendje se deri në vitin 2019, Myftinia Shkodër nuk ka marrë asnjë qindarë, as nga bashkia dhe as nga tregtarët. Ai, gjatë fjalës së tij, ka reaguar mjaft ashpër edhe ndaj mediave, portaleve, gazetarëve e operatorëve.




