
Në protestën e radhës në Baks- Rrjoll, kjo e shtunë ka qenë mjaft e rëndë. Gati në “pikën e vlimit”, banorët kanë kërkuar që punonjësit e policisë private “Breçani” të largohen dhe të mës vijojnë sulmet ndaj banorëve, siç ishte rasti i dhunimit të një 17- vjeçari disa ditë më parë, i cili madje, u shoqërua në komisariat pasi u godit nga një punonjës i kësaj policie. Siç muind ta shihni edhe në videon më poshtë, situata ka precipituar.
Në vijim, revolta e banorëve të Baks- Rrjoll, të cilët protestojnë pa u dëgjuar nga askush në të drejtën e tyre, ka rënë mbi mjetet e kompanisë “Gener 2” që ka nisur punën për ndertimin e resortit në Velipojë por edhe tek disa makina të parkuara të kompanisë “Breçani”, të cilat janë dëmtuar nga protestuesit.
Në mbështetje të protestuesve, si çdo ditë tjetër, kanë qenë edhe qytetarë nga Shkodra dhe zona të tjera të Shqipërisë. Mes tyre, edhe avokati dhe aktisvisti i njohur Altin Goxhaj. Ai u ka kërkuar banorëve të vijojnë protestën, pasi tashmë janë bërë shembull për tu ndjekur nga të gjithë shqiptarët. “Prona mbrohet edhe me gjak”, ka thënë ai.
“Protesta ishte paqësore por banorët ishin të revoltuar”, kështu është shprehur Luçiana Kokaj dhe Prekë Molla, të cilët kanë sjellë në vëmendje si shkak, dhunën ndaj një 17- vjeçari nga punonjësi i policisë “Breçani”. Kokaj, i ka bërë një thirrje edhe ministrit të ri të brendshëm, Besfort Lamallari.
Pavarësisht kohës të gjatë, banorët e Baks- Rrjoll nuk ndjehen të lodhur në përpjekjen e përditshme për të mbrojtur pronat e tyre. Ata sigurojnë se protesta do të vazhdojë deri në ndalimin e punimeve dhe lënien e çeshtjes për zgjidhje, në dorën e drejtësisë shqiptare. /ShkodraWeb/




