
Mëngjesin e kësaj të hëne, kur nis java e pestë e rezistëncës së organizuar për mbrojtjen e pronës, banorët e Baks- Rrjoll kanë parë me sytë e tyre fillimin e ndërtimit të një muri, i cili i pengon të arrijnë pronat e tyre, gjithmnonë sipas pretendimeve. Kompania “Gener 2” që po ndërton resortin turistik, me mbështetjen e policisë private “Breçani” dhe mbikqyrjen e Policisë së Shtetit, ka nisur rrethimin me blloqe betoni të mëdha.
Thuajse në të njëjtën kohë, para DVP Shkodër, janë shfaqur disa persona të shpallur në kërkim nga policia për situatën e krijuar dy ditë më parë, kur pati edhe konfrontim fizik me punonjësit e policisë private si dhe dëmtime të mjeteve të saj dhe kompanisë “Gener 2”. Pasi kanë mësuar se janë në kërkim, ata të shoqëruar nga avokati i tyre Ndue Pjetra, janë vetëdorëzuar. Siç thotë edhe vetë avokati i tyre, nuk ka patur denoncim as nga kompania “Gener 2” dhe as nga banorët për situatën e krijuar.
Paralelisht, banorët kanë vijuar të mblidhen pranë kantierit ku po ndërtohet. Të udhëhequr nga Luçiana Kokaj, tashmë simbol i qendresës së këtyre banorëve në mbrojtje të pronës së pretenduar, ata janë të vendosur të vazhdojnë protestën, edhe nëse shoqërohen në komisariat të gjithë të rinjtë e Baks- Rrjoll. Nga nesër, pritet të shihet se si do të veprojnë banorët përballë kësaj situate të krijuar me vendosjen e murit të betonit përreth kantierit ku ndërtohet resorti turistik në Velipojë.




