Një tjetër ndeshje plot emocione në Euro 2020. Franca dhe Zvicra dhurojnë spektakël, plot 6 gola, në fund 3-3 për 90 minuta dhe cerekfinalisti do të vendoset nga nga penalltitë. Zvicra ekzekuton saktë 5 penalltitë e saj ndërsa Franca humbet të fundit në “ruletën ruse” pikërisht me yllin e saj Mbappe, goditja e të cilit pritet nga portieri helvet. Ikin kështu kampionët e botës në fuqi, në një Europian me supriza dhe të pabesueshëm.
Fillimisht, Zvicra befasoi Francën, teksa ka kaluar në avantazh pas 14′ minutave lojë me Haris Seferovic. Një krosim i bukur i Zuber nga krahu i majtë dhe bomberi ka fluturuar mbi kokën e Lenglet, duke befasuar Lloris.
Në të dytën ndodh gjithcka në pak minuta. Ligji i futbollit respektohet edhe njëherë. Ai i pashkruari, kur nuk shënon, do ta pësosh. Dhe Zvicra e pati shansin më të mirë të shkonte 2-0 ndaj Francës me penalltinë e fituar nga Zuber. Por Rodriguez gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, i neutralizuar nga Lloris.
Më pas, Benzema gjeti rrjetën e barazimit për “gjelat” dhe 2 minuta më pas shënoi edhe golin e dytë, duke përmbysur gjithçka. Franca merr zemër dhe Paul Pogba ka realizuar një gol spektakolar nga jashtë zone.
Por Zvicra u tregua heroike. Seferovic, pasi dominoi duelin me Lenglet, sulmuesi e bëri edhe me Varane. Një krosim nga e djathta dhe devijimi perfekt në rrjetë. Nuk mbaron këtu, Gavranovic barazon në minutën e parë shtesë. Shtesa 2 herë nga 15 minuta nuk solli fitues, ndërsa “ruleta ruse” dhe saktësia në penallti e helvetëve, kaloi përpara Zvicrën që do të përballet me Spanjën.