Ministrja e Arsimit Evis Kushi bëri me dije sot në mbrëmje se është vendosur të hiqet mësimi me turne, dhe duke nisur nga e hëna e javës së ardhshme rikthehen orët normale në shkolla.
Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale Kushi vuri në dukje se vendimi është marrë pas konsultimeve me Ministrinë e Shëndetësisë, Komitetin e Ekspertëve dhe ISHP-së. Ajo u shpreh se një faktor për marrjen e këtij vendimi është vaksinimi i lartë në radhët e mësuesve, që tanimë kap shifrën 88 për qind.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë, me Komitetin e Ekspertëve dhe ISHP-në për të vlerësuar edhe një herë së bashku të gjitha protokollet anti-Covid që zbatohen në shkolla. U jam mirënjohës ekspertëve të cilët duket marrë parasysh ecurinë mjaft të mirë të procesit të vaksinimit të mësuesve, tashmë 88 për qind të vaksinuar, na dhanë mundësinë që të rikthejmë mësimin normal në të gjithë shkollat tona, duke filluar që nga dita e hënë e javës së ardhshme, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore”, tha ministrja Kushi.