VIDEO – “Do të vazhdojmë sensibilizimin”, gazetari Taulant Kopliku së shpejti një dokumentar nga kampet në Siri…

Taulant Kopliku, gazetari shqiptar i programit investigativ “Le Iene” në Italia 1, është më i angazhuari në çeshtjen e riatdhesimit të shqiptarëve të burgosur në kampet e Sirisë. Që nga rasti i Alvin Berisha, me të gjitha mjetet e redaksisë ku punon por edhe personalisht, ai është përpjekur të sensibilizojë autoritetet shqiptare për këtë çeshtje.

Kohët e fundit, ai ka qenë në territorin e Sirisë dhe po përgatit një dokumentar me pamje ekskluzive. Sot, teksa është njoftuar riatdhesimi i 14 fëmijëve dhe 5 grave nga kampet në Siri, gazetari Kopliku ka disa falenderime, njofton për dokumentarin që po përgatit por edhe premton se do të vazhdojë sensibilizimin për këtë temë shumë sensitive.


Shkruan në Facebook Taulant Kopliku, gazetari shkodran i programit “Le Iene” në Italia 1: Së bashku me Antonio Paesano, Mahmoud Shiekh Ibrahim, Firas Abood dhe Valmir Hysa, kemi në proces një dokumentar mbi Sirinë që pritet të dalë pas dy javësh.

Një pjesë të konsiderueshme në këtë punë tonën, zë edhe jeta e grave dhe fëmijëve shqiptarë në kampet e kontrolluara nga autoriteti kurd. Kishim edhe një thirrje për qeverinë shqiptare për të levizur në tërheqjen e tyre duke sjellë edhe intervista ekskluzive nga autoritetet e kampeve.

E ndërsa ne jemi ende në proces post-produksioni, qeveria shqiptare dhe sherbimet tona të antiterrorit ndërkohë kishin një plan pune që u konkretizua sot. Do doja të falenderoj një për një të gjithë aktorët që po bëjnë të mundur sjelljen në shtëpi të 14 fëmijëve (me gjasë ditën e neserme).

Ndërkohë së bashku me kolegët e mi do të vazhdojmë të sensibilizojme opinionin, derisa në ato kampe të mos mbetet këmbë shqiptari. Këta fëmijë nuk jane terroristë.