VIDEO – “Do paditet penalisht”, pas akuzave të Kokalarit për Bashën, reagon PD: Spekulante politike, përsëriti shpifjet e…

Aktivistja republikane Evi Kokalari deklaroi sot se Lulzim Basha vendosi të përjashtonte Berishën nga Grupi Parlamentar për të mbyllur dosjen e tij, duke pretenduar se për 2-3 vjet kryedemokratit iu mohua e drejta e vizës në SHBA.

Në fjalën e saj krah Berishës, Kokalari tha ndër të tjera se nëse Lulzim Basha do të hyjë në SHBA, atëherë ajo do të angazhohet bashkë me shqiptarë të diasporës për ta dërguar dosjen e tij në Kongres.


I menjëhershëm ka qenë reagimi i PD-së, që e cilësoi Kokalarin “një spekulante politike” që sipas selisë blu “përsëriti para shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës për Lulzim Bashën”.

Partia Demokratike bën me dije se nesër do të padisë penalisht për shpifje Evi Kokalarin.

“Kompania që Lulzim Basha po përdorte në Amerikë pati disa probleme me ligjin. Lulzim Bashës iu hoq e drejta e vizës për 2-3 vjet. Në këtë moment kjo dosje është mbyllur me kushtin që ai të nxirrte nga Grupi Parlamentar Sali Berishën. Me gjithë frikën që Lul Basha ka pasur, se unë mund të bëhesha kryetare e PD-së, do kthehem në Amerikë dhe bashkë me shqiptarë të diasporës do kontrollojmë nëse Basha guxon të futet në Amerikë, që do të thotë ka marrë vizë, ne do e bëjmë problem dhe do ta çojmë këtë dosje në Kongres”, u shpreh Kokalari në fjalën e mbajtur krah Berishës.

REAGIMI I PARTISË DEMOKRATIKE

Një spekulante politike, Evi Kokalari, guxoi sot të përsëriste përpara shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha. Autoritetet përgjegjëse me kërkesë të vetë Partisë Demokratike hetuan për 2 vite lidhur me shpifjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke provuar në mënyrë ligjore dhe përfundimtare se ato ishin vetëm shpifje.

Ricikimi i të njëjtave shpifje, bëhet për të njëjtin qëllim, atë të mbajtjes në këmbë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të padisë nesër penalisht për shpifje znj. Evi Kokalari, e cila mund të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzat e rreme me dëshmitarët e saj të rremë Edi Ramën dhe Taulant Ballën.