Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal sot në amnistinë fiskalë, për të cilën kryeministri Rama ka deklaruar se do ta kalojnë dhe nuk kanë nevojë për mbështetjen ndërkombëtare.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se kjo është një mbështetje për krimin e organizuar dhe një goditje e rëndë për biznesin e ndershëm shqiptar.
Sipas Berishës, Rama duke bërë avokatin interesave mafioze po vret cdo ditë shpresën e shqiptarëve.
“Edi Rama, u servir shqiptarëve çdo ditë në qëndrim e vendime dhe projektligje e ligje, interesat e krimit, të mafies dhe të klanit të tij personal, duke bërë avokatinë e këtyre interesave, Edi Rama vret çdo ditë shpresën e shqiptarëve, errëson dritën në të ardhmen e tyre.
Në kundërshtim flagrant, me interesa të çdo qytetari shqiptar, dhe përllogari të klanit të tij mafioz dhe krimit të organizuar shqiptar, ai sfidon çdo shqiptar dhe mbarë komunitetin ndërkombëtar me projektin e amnistisë fiskale, ç’ka do të thotë një mbështetje e fuqishme e organizatave kriminale shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën.
Çfarë do të thotë, një proces gjigand dhe i paparë ndonjëherë, i larjes së parave të krimit, me procedura ligjore nga Shqipëria, që do të thotë, fuqizim i madh i organizatave kriminale dhe mafies shqiptare, në rajon, në Europë dhe në Botë. Kjo do të thotë injorim tërësor i çdo forme të lirë konkurrence, një goditje fatale për biznesin e ndershëm shqiptar”, tha Sali Berisha.