
“Do të jem polic në kapjen e djalit tim”. Kështu është shprehur për mediat e Shkodrës Arben Hasanaj, ish- efektiv i bluve shkodranë, djali i të cilit është i dyshuar si autor i atentatit ndaj shefit të Policisë Bashkiake M.Madhe, Mentor Hasanaj.
“Faleminderit që më gjendeni pranë në këtë rrezik që më ka ndodhur si familje. Kam rastin që të uroj familjen e dëmtuar, familjen e Xhelal Hasanajt. I lutem me shpirt e zemër që ai ta kalojë rrezikun e të bëhen sa më mirë. Sa i përket emrit të djalit që është i përfolur në media dhe është në kërkim nga policia, i bëj thirrje publikisht që një orë e më parë, në komisariat, në drejtorinë, në pikën më të afër të Policisë së Shtetit, tek polici i rrugës, të dorëzohet.
Unë si prind do ta përkrah, do ta mbështesë dhe do ta mbajë afër, pavarësisht fatkeqësisë së më ka ndodhur. I lutem me mish e shpirt, gjithkujt që e njeh dhe e ndihmon, miq e armiq, nëse dikton djalin tim, të më njoftojë privat. Më bën nder. Nuk kam dijeni fare për çunin. Dy ditë para se të ndodhte ngjarja kam folur me djalin. E kam pasur pranë, më ka dëgjuar, i respektuar. Se imagjinoja kurrë se ma bënte djali këtë punë. Kisha vra veten se ma bën çuni këtë. Nuk kam asnjë dijeni përveç asaj që keni dhënë ju në media.”, ka thënë Hasanaj.
Ish- efektivi Hasanaj ka folur edhe për pjestarët e familjes së dëmtuar, e cila ka të njëjtin mbiemër. Ai ka thënë se me familjen Hasanaj kemi patur miqësi dhe kurrë konflikte. Po ashtu. ai ka thënë se ka qenë polic kufiri dhe se është tërhequr.
“Unë quhem Arben Dan Hasanaj, dhe me banim në Shkodër. Familja e dëmtuar është me mbiemrin Hasanaj. Jetojnë dy fshatra më larg se ne. Ne kemi miqësi me ta, dhe s’kemi pasur kurrë konflikte. S’kemi asnjë lloj lidhje me ta, me prona apo gjëra të tjera. Kam respekt, se di se çfarë ka ndodhur. Nisem pas fjalës së policisë dhe medias. Unë dua që të gjej djalin, se nuk e di. Unë mbështes Policinë e Shtetit. Kam qenë polic kufiri, por jam tërhequr. Kam dalë me dëshirë në pension. Mua Policia do të më ketë në krah, e mbështes totalisht. Dua të gjej djalin tim, dua drejtësi. Do ta përkrah djalin pasi është shpirti im. Ai duhet të japë llogari se çfarë ka ndodhur. Nuk kemi lidhje fare me atë familje, s’na bashkon asnjë send tjetër. Veç se kemi mbiemrin Hasanaj dhe se jemi shqiptar.”, ka vijuar prononcimin e tij Arben Hasanaj.
Po ashtu, ai ka zbuluar se djali i tij, ka patur dëshirë të regjistrohet në Akademinë e Policisë, pas përfundimit të Shkollës. Madje, sipas tij, janë bërë gati edhe dokumentet. Hasanaj ka shpërthyer në lot, teksa thotë se i biri e ka tradhëtuar, çdo gjë u dogj.
“Djali sapo mbaroi shkollën. Bëmë letrat për Akademinë e Policisë. Bëri patentën. Bëri teorinë dhe më pas praktikën. Dhe presim. Tani u dogj gjithçka. Më mori në qafë, më tradhtoi (Qan). Dyshimet e policisë mund të jenë të sakta ose jo. Nuk mund të jap asnjë sen, pasi nuk di asgjë. Nëse ai ka bërë diçka do mbajë përgjegjësi. Unë dua që djali të gjendet. Jam prindi i tij, do të japë llogari për çfarë do lloj problemesh. S’kemi hasmëri me ta. Nëse do më ndihmoni në këtë rast, unë do jem polic në kapjen e djalit tim. Faleminderit, ju ruajtë Zoti!”, tha babai i ilrjanit 19 vjeçar, Arben Hasanaj.
Intervista e tij për mediat e Shkodrës, ka ardhur pasi më herët, ai kishte publikuar një status në Facebook, ku i kërkonte të birit të dorëzohej në polici. Ish- polici Hasanaj, ka disa vite i larguar në emigracion dhe u detyrua të kthehej pas ngjarjes së rëndë ku u përfshi i biri. /ShkodraWeb Media/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!