Provat e reja të ardhura përmes letërporosive nga Italia dhe Greqia bindën Gjykatën për Krime të Rënda të ngujonte në “arrest shtëpie” ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Kjo e diel e ka gjetur ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri të kyçur në banesë, duke shfrytëzuar lirinë që ofron ballkoni i shtëpisë së tij për të konsumuar cigare. Një ditë më parë, Gjykata për Krime të Rënda dha ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Me sa duket për këtë vendim ndikuan provat e reja të ardhura përmes letërporosive nga Italia dhe Greqia.
Burimet thanë se mes të tjerash ka dyshime se ish-deputeti është takuar me Habilajt në shtetin fqinj, ç’ka duket se e ka rënduar pozitën e tij për përfshirje me grupin kriminal që merrej me trafik droge.
Ndonëse, Prokuroria kërkoi burg për Tahirin, Gjykata ka vlerësuar se nuk ka flagrancë, dhe se nuk ka rrezik që ish-ministri të largohet apo prishë provat, pasi hetimi ndaj tij është drejt fundit.
I kontaktuar Tahiri nuk ka dashur të komentojë vendimin e Gjykatës dhe për momentin ka shfrytëzuar vetëm lirinë e pakët që ofron ballkoni i shtëpisë së tij për të konsumuar cigare.
Ndërkaq avokati i tij Maksim Haxhia, nuk pajtohet me këtë masë sigurie dhe paralajmëron se do ta apelojë këtë vendim, pasi kundër klientit të tij nuk ka asnjë provë.