
Vllaznia duket se është ulur “me këmbë në tokë” nga Dinamo pas fitores 2-0 në javën e parë të Superligës në Shkodër. “Nëndetësja” blu e ka mundur 3-1, në një lojë ku në fakt, edhe Vllaznia pati rastet e veta që nuk i ktheu në gol.
Goli i parë për Dinamon vjen në minutën e 35- të, kur Bregu nga e majta lëshon një gjuajtje që befason Jukajn dhe u jep avantazhin bluve.
Vjen minuta e 59- të, kur pas një aksioni të shpejtë të bluve, topi shkon te Guindo i cili gjuan e gjen golin e dytë. Shkodranët kërkojnë prekje të topit me dorë nga Karamba, por VAR-i sinjalizon që gjithçka është e rregullt.
Në minutën e 83- të, një aksion i shpejtë i bluve me H. Berishën, i cili shfaqet në të majtën dhe lëshon një gjuajtje të pakapshme për Jukajn.
Në minutën e 94- ët ka hapësirë për “golin e nderit”, shënuar nga Balaj me kokë. Hakaj kroson nga krahu i majtë i sulmit të Vllaznisë dhe Balaj e dërgon topin në portë dinamovite.
Pa Martinin në pankinë, ndryshimet e bëra nga zëvendëstrajneri Borshi për të forcuar sulmin, nuk sollën rezultat dhe Vllaznia shënoi humbjen e parë në Superligë. Ndeshja e radhës e kuqebluve do të jetë në Shkodër ndaj Partizanit.




