Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka komentuar sot në dalje të Kuvendit deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha pas përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat. Basha u shpreh se dhimbja për vendimin i është dyfishuar për shkak të gjuhës së përdorur nga Berisha.
“Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur në mënyrë të plotë dhe të qartë mbrëmë dhe asaj nuk i lëviz asnjë presje. Dhimbja që ndjej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin që u detyrova të marr dje është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga z. Berisha.
Shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë, dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetëm që është regjimi i Edi Ramës, problemi kryesor për të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve”, tha Basha.
INTERVISTA
Gazetarja: A duhet të kishit dhënë dorëheqjen?
Lulzim Basha: Më lejoni ta mbaroj. Por kjo është një betejë që i takon çdo shqiptari dhe ku çdokush duhet dhe jam i sigurtë do të bëjë pjesën e vet.
Gazetarja: Zoti Basha po ju nisët një betejë me Sali Berishën. Ai ka deklaruar se do t’ju heqë ju nga partia.
Lulzim Basha: Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur në mënyrë të plotë dhe të qartë mbrëmë dhe asaj nuk i lëviz asnjë presje. Dhimbja që ndiej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin që jam detyruar të marr dje, është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga zoti Berisha, por shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve që është rregjimi i Edi Ramës, problemi kryesor për te sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve.
Gazetarja: A ka një pazar mes ju dhe zotit Rama siç thotë zoti Berisha?
Lulzim Basha: Edhe njëherë shpreh keqardhjen e thellë që tezat e kundërshtarit të vetëm, timin, të Partisë Demokratike, të çdo shqiptari të ndershëm, të Edi Ramës, sot i kam dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu, vlerësimin për kontributin e të cilit e kam dhënë dje i qëndroj edhe sot.
Gazetarja: A rrezikon Partia Demokratike të përçahet zoti Basha?
Lulzim Basha: Partia Demokratike nuk ka rrugë tjetër nuk ka rrugë tjetër përveçse e bashkuar ti prijë kësaj beteje për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Ju faleminderit!