VIDEO – Dalin pamjet, një person i gjinisë femërore vë tritolin në lokalin e furgonin e policit në Grudë të Re të Shkodrës

Një lokal është hedhur në erë me tritol në orën 02:20 të mëngjesit të sotëm dhe më pas është djegur dhe një furgon i parkuar para tij. Të dy objektet janë në pronësi të efektivit të policisë së Komisariatit Shkodër, Ndrek Rrasa.

ShkodraWeb ka siguruar pamjet nga momenti kur i vihet flaka lokalit dhe furgonit. Në pamjet e kameras së sigurisë,  shihet një person i veshur si grua, me fustan dhe paruke të zeza, ku fillimisht vendos flakë në derën e lokalit, dhe më pas poshtë furgonit.


Rrasa mësohet se ka deklaruar për grupin hetimor se nuk ka konflikte dhe nuk e di se kush mund të jetë autori i vendosjes së lëndës shpërthyese në lokalin e tij.

“Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e kam idenë se kush mund ta ketë vene tritolin apo se kush e ka djegur autobusin”, mësohet të ketë thënë efektivit 46-vjeçar.

Informacion Paraprak

Rreth orës 02:20, në fshatin Grudë e re, Shkodër, ka shpërthyer lëndë plasëse në derën e lokalit të shtetasit N. Rr. 46 vjeç , banues në fshatin Grudë e re, me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Shkodër.

Për pasojë ka vetëm dëme materiale në lokal si dhe është dëmtuar edhe mjeti i tij autobus, i parkuar para lokalit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarje.