Kameramani Kristian Troshani, i pranishëm në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, ka qenë i vetmi që ka fiksuar momentin e rrëzimit të boksierit bullgar në ring. Pamjet tregojnë se në momentin që ka rënë, ai nuk ka qenë nën goditjet e boksierit durrësak Burrja me të cilin ndeshej. Siç shihet nga video më poshtë, ai është tërhequr pas pa marrë goditje dhe ka rënë në cepin e ringut. Megjithë ndërhyrjen, boksieri bullgar Isus Veliçkov, ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Edhe pse duhet pritur ekzaminimi mjeko- ligjor, sipas gjasave boksieri 21 vjeçar ka pësuar “arrest kardiak” nga mbilodhja. Ngjarja e rëndë ka tronditur jo vetëm sportistë e trajnerë, por edhe spektatorët në “Qazim Dervishi”. Ndërkohë, deri në këto momente, akoma nuk ka një njoftim zyrtar as nga Spitali Rajonal i Shkodrës dhe as nga Policia.