Kroacia ngec në barazim 1-1 ndaj Çekisë dhe rrezikon të eliminohet që në fazën në grupe. Çekia befasoi Kroacinë në minutën e 37-të, duke gjetur golin e avantazhit me penallti, realizuar saktë nga Schick.
Arbitri ka akorduar 11-të metërsh pas një goditje me brryl të Lovren ndaj Schick brenda zonës së rreptësisë pasi u konsultua edhe me pamjet e ofruara nga VAR.
Sulmuesi i Leverkusen, që ka shënuar 3 gola deri tani në Evropian, mori edhe ndihmën mjekësore dhe kur goditi penalltinë ishte me gjak në hundë.
Kroacia e nis zjarr pjesën e dytë, duke gjetur menjëherë golin e barazimit. Një goditje e bukur dhe mjeshtërore nga Ivan Perisic në hyrje të zonës befason portierin çek. Futbollisti i Interit vazhdon të dëshmojë se sa i rëndësishëm është për kombëtaren e vendit të tij.
Gjithsesi, Çekia mbron barazimin dhe me 4 pikë është shumë në avantazh për të kaluar grupin, ndërsa Kroacisë i duhet të fitojë ndaj Skocisë.