VIDEO – “Bota nuk rrotullohet rreth tij…”, Brdariç shprehet qartë pas gjestit të Latifit që u zëvendësua me Egnatian

Egnatia-Vllaznia ishte sfida e fundit e javës së 8-të të Abissnet Superiore. Takimi i luajtur në “Arena Egnatia” u mbyll në barazim 1-1. Iseni shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 15-të, ndërsa Latifi barazoi në minutat e fundit me penallti duke vulosur ndeshjen. Në fund të takimit për “Gol pas Goli”, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric u shpreh:

Krijoni shumë, por nuk shënoni? “Kjo është një pyetje e mirë dhe ne duhet të punojmë për këtë gjë. Duhet të jemi më të qetë në zonën e kundërshtarit, të kemi vetbesim dhe duhet të punojmë akoma më shumë për këtë gjë pasi diferenca do të rritet nëse finalizojmë rastet tona”.


Çfarë i mungon Vllaznisë? “Ne besojmë në mënyrën tonë dhe nëse do të punosh në nivele të larta duhet të punosh në mënyrën e duhur. Gjatë javës ne nuk e kemi ditur se ku të stërvitemi dhe klubi duhet të jetë më serioz në këtë aspekt dhe pastaj të kërkojmë rezultatet.

Ka qenë edhe mungesa fati pasi ne kemi krijuar shumë raste, por nuk kemi shënuar. Kjo ka të bëjë edhe me stërvitjen që bëjmë gjatë javës pasi ne nuk stërvitemi mirë kjo do të shihet edhe në fushë”.

Latifi? “Mendoj se bota nuk rrotullohet rreth Latifit dhe ai duhet të pranojë vendimin e trajnerit. Nuk e di se çfarë të them, çdo lojtar dëshiron të luajë 90 minuta. Ne analizojmë çdo ndeshje, por lojtarët duhet të pranojnë vendimet e trajnerit pasi kjo ndikon në atmosferën e skuadrës dhe te lojtarët e tjerë”.

“Në dy ndeshjet e fundit nuk kishim rezultate të mira në Superligë dhe duhet të jemi të qetë deri në fund. Çdo kush duhet të jetë i qetë dhe i durushëm pasi nëse ka sjell të tilla do të jetë e vështirë edhe për grupin”.

Mungesa e pikëve? “Është e thjeshtë të themi që kemi shumë kualitet, por lojtarët duhet ta tregojnë këtë gjë në fushë. Sezonin e kaluar kishim më shumë kohë për të ndërtuar ekipin, ndërsa këtë sezon duhet pak më shumë kohë për të qenë në krye. Ne besojmë se punojmë më përqendrim dhe besojmë se me kohën rezultatet do të vijnë”, u shpreh Brdaric.